Secondary Adv

Në 9 muaj investimet e huaja direkte arritën 1.2 mld euro, 30 për qind në pasuri të paluajtshme

Investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën nivel rekord në janar–shtator 2025, me thellim të fortë të orientimit drejt tregut të pasurive të paluajtshme.

Rekord investimesh në 9 muajt e parë të vitit

Investimet e huaja direkte në Shqipëri vijojnë të rriten. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, nga janari deri në shtator të këtij viti, vlera totale e investimeve të huaja arriti në rreth 1.2 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 51 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm në tremujorin e tretë të vitit, investimet e huaja kapën vlerën e 449 milionë eurove, nga 406 milionë euro që ishte shifra në korrik–shtator të vitit të kaluar.

 

Pasuritë e paluajtshme, sektori më tërheqës për të huajt

Ky vit ka thelluar më tej interesin e investitorëve të huaj për tregun e pasurive të paluajtshme, duke u larguar gradualisht nga sektorët tradicionalë si energjia dhe industria nxjerrëse. Banka e Shqipërisë bën të ditur se në tremujorin e tretë të vitit, 31 për qind e investimeve të huaja janë orientuar drejt pasurive të paluajtshme, të ndjekura nga ndërmjetësimi financiar, hidrokarburet, energjia dhe komunikacioni.

 

Në terma vjetorë, rreth 1 në 3 euro të investuara nga të huajt në Shqipëri gjatë vitit 2025, ose afërsisht 392 milionë euro, kanë shkuar për blerje pronash. Një vit më parë, kjo vlerë ishte 269 milionë euro, duke treguar një rritje të fortë të interesit për këtë sektor.

 

Pse Shqipëria mbetet tërheqëse për tregun imobiliar

Sipas ekspertëve të tregut të pasurive të paluajtshme, Shqipëria vazhdon të jetë një treg me leverdi për investitorët e huaj, pasi çmimet e pronave mbeten relativisht të përballueshme në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe Europës. Kjo, e kombinuar me rritjen e turizmit dhe pritshmëritë për vlerësim të mëtejshëm të pronave, ka shtuar flukset e kapitalit të huaj drejt këtij sektori.

 

Rriten edhe investimet e shqiptarëve jashtë vendit

Paralelisht me hyrjet e kapitalit të huaj, po rriten edhe investimet e shqiptarëve jashtë vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në tremujorin e tretë të vitit, investimet direkte të rezidentëve shqiptarë jashtë vendit arritën në 72 milionë euro, me rritje prej 24 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, për periudhën janar–shtator, investimet e shqiptarëve jashtë vendit kanë arritur në 232 milionë euro, nga 200 milionë euro një vit më parë.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat